Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës për gjetjen e një zgjidhje sa më të shpejtë për konsumatorët e “papërgjegjshëm” që nuk i paguajnë faturat e rrymës dhe shërbimet tjera komunale, në të kundërtën, as “konsumatorët tjerë nuk do të duhej t’i paguajnë faturat”, njofton Insajderi.
KMDLNJ ka theksuar se nëse shteti ua paguan rrymën dhe shpenzimet tjera komunale serbëve në veri të Kosovës, pa e përfillur fare gjendjen e tyre ekonomike, atëherë “shteti duhet t’i lirojë nga pagesa kategoritë e qytetarëve në gjendje të rëndë ekonomike apo të mbulojë një pjesë të këtyre shpenzimeve”.
Sipas KMDLNj-së, shteti në mënyrë flagrante po i shkelë interest e qytetarëve përmes zbatimit të standardeve të dyfishta dhe ekskluzivitetit në baza etnike.
“Ky diksriminim zgjatë që nga përfundimi i luftës dhe nuk po i duket fundi, KMDLNj ka kërkuar që ky diskriminim të ndërpritet sikur që edhe të gjithë konusmatorët që janë plaçkitur nga KEDS-i, që nga përfundimi i luftës përmes faturave të fryera, të kompensohen për dëmet që iu janë bërë”, thuhet në reagimin e tyre.
Në komunikatën për media thuhet tutje se KMDLNj e dënon ashpër këtë qasje të institucioneve të Kosovës, kurse KEDS-in bashkë me KOST-in i konsideron “kompani të kusarëve që në mënyrë flagrante i shkelin të drejtat e njeriut për faktin se janë pjesë e mekanizmave diskriminues”./Insajderi.com