Ligji për nënshtetësi, gati marrëveshja në Maqedoninë e Veriut

Ligji për nënshtetësi, gati marrëveshja në Maqedoninë e Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se e kanë pranuar propozimin e partive opozitare shqipare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, për ligjin për nënshtetësi, duke thënë se nuk është siç është dakorkuar në takim, shkruan Insajderi.

Megjithatë kryeministri i vendit fqinj vlerëson se do të arrihet marrëveshje për këtë ligj. Ai pret që të gjitha ligjet e bllokuara në Kuvendin e RMV-së nga ana e opozitës shqiptare dhe maqedonase të zhbllokohen ditëve në vijim.

Zaev tha se ka bërë lëshime serioze në takimet me opozitën, sepse vlerëson se duhet të ketë mirëkuptim për opozitën, pavarësisht a është VMRO DPMNE, Aleanca për Shqiptarët apo Alternativa dhe lëshimet kanë të bëjnë për punë të rëndësishme dhe qartë të dukshme, siç është regjistrimi i popullsisë, Kodi Zgjedhor dhe votimi me gishtërinj etj.

Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, tha se bëhet fjalë për ndërhyrje plotësuese jashtë pikave të cilat janë diskutuar bashkë me përfaqësuesit e Qeverisë dhe për të cilat kanë vlerësuar se mund të avancojnë ligjin. Por, nëse të njëjtat kontestohen, Gashi tha se do të ulen dhe do t’i shqyrtojnë për t’i tejkaluar dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë.

Me këtë ligj, pritet të zgjidhet një problem dy dekadësh për më shumë se dy mijë e 500 qytetarë, shumica prej tyre shqiptarë, të cilët që nga pavarësia e shtetit të Maqedonisë së Veriut nuk kanë gëzuar të drejtën e shtetësisë dhe me këtë u janë ndaluar shumë të drejta të tjera qytetare në këtë vend.

Ndryshimi i ligjit për shtetësi ishte një nga premtimet parazgjedhore të koalicionit, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, të cilët edhe si pjesë e opozitës e ngritën këtë çështje në Kuvendin e vendit fqinj duke bllokuar edhe shumë ligje të tjera si formë presioni për të zgjidhur këtë problem. /Insajderi.com