Kurti: Më shumë kemi marrë informacione për dialogun nga Lajçaku sesa nga Hoti

Kurti: Më shumë kemi marrë informacione për dialogun nga Lajçaku sesa nga Hoti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa po qëndron në Bruksel, është ankuar se kryeministri i qeverisë së kaluar, Avdullah Hoti, nuk i ka dhënë informacione të mjaftueshme sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, njofton Insajderi.

Në një intervistë televizive nga Brukseli, Kurti ka thënë se në procesin e dialogut qeverisë së tij i mungon informacioni “sepse i mungon dokumentacioni”.

Kurti shprehet se ish-kryeministri Avdullah Hoti, nuk ka lënë asgjë në zyrën e Kryeministrit, dhe se informatat e dialogut i ka marrë më shumë nga ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak.

“Një qeveri e re do të thotë se do të ndodhë kapitull i ri. Edhe në Bruksel e kanë të qartë se me kryeministrin e ri, presidenten e re, Qeverinë e re dhe Ministren e Jashtme të re nuk mund të vazhdojë avazi i vjetër. Është e vërtetë që neve na mungon informacioni, sepse na mungon dokumentacioni. Procesi ka pasur shumë drafte, shumë marrëveshje dhe shumë hollësi, të cilat nuk i kemi gjetur tash kur jemi kthyer në zyrë. Ne po pajisemi me dokumente nga Bashkimi Evropian, qartazi deri tani kemi marrë më shumë informata nga ndërmjetësuesi Lajçak sesa nga ish-kryeministri që u rrëzua nga Kushtetuesja”, ka thënë ai.

“Çdo herë që do të na shfaqet diçka që nuk e kemi ditur më herët, do t’i kemi rezervat tona. E kuptoj konfidencialitetin e bisedimeve, por konfidencialiteti i bisedimeve duhet të shoqërohet me transparencë. Qeveria e re nuk mund të marrë përsipër domosdoshmërisht zotimet e njëanshme, jo transparente të ekzekutivit të vjetër. Kemi rezervë të madhe ndaj zotimeve nga kryeministri paraprak, por kjo nuk do të paraqet problem shumë të madh. Me Qeverinë e re mund të flitet për kapitullin e ri”, deklaroi Kurti. /Insajderi.com