Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pasi vendosi kurora lulesh pranë varrit të dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Marinë të Skenderajt, tha se ata janë bazamenti dhe themelet e shtetit, përcjell Insajderi.
Osmani deklaroi se as liria as shteti i Kosovës nuk do të ishin të mundura pa ta.
“Po e nderojmë heroizmin e gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , atyre që e bënë bazamentin dhe themelet e shtetit tonë të pavarur. Ata të cilët dhanë më të shtrenjtit e tyre, bënë sakrificën më sublime duke dhënë jetën në mbrojtje të atdheut dhe gjithë qytetarëve tanë”, tha ajo.
Ndërsa, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari kërkoi që amaneti i dëshmorëve të realizohet duke qenë të bashkuar dhe duke e zhvilluar vendin.
“Sot nderuam të kaluarën tonë me shumë vuajtje dhe shumë sakrifica, aq sa e dhimbshme aq është edhe krenare. Këtë amanet të dëshmorëve mund ta realizojmë vetëm të bashkuar, të unifikuar duke zhvilluar dhe ndërtuar vendin tonë”, potencoi i pari i Skenderajt./Insajderi.com