Kuvendi të enjten diskuton për gjendjen në arsim dhe kërkesën e KOSTT-it

Kuvendi të enjten diskuton për gjendjen në arsim dhe kërkesën e KOSTT-it

Kuvendi i Kosovës të enjten do të mbajë seancë ku do të diskutohet për gjendjen e arsimit në vend për të gjitha nivelit dhe pasojat që pandemia COVID-19 ka shkaktuar në këtë fushë, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë.

Ai ka kritikuar Qeverinë e tanishme të udhëhequr nga Albin Kurti, dhe atë paraprake nga Avdullah Hoti, për zhvillimin e procesit mësimor.

Sipas Tahirit, viti 2020 mund të llogaritet si vit i humbur për më shumë se 320 mijë nxënës.

“Pra jemi dëshmitarë se viti 2020 ka qenë jashtëzakonisht i rendë për arsimin në Republikën e Kosovës për shkak të kësaj gjendje mund të themi që ka qenë një vit i humbur për më shumë se 320 mijë nxënës. Ndërsa, në anën tjetër po shohim se Qeveria e Kosovës po ashtu edhe ajo qe ishte me herët nuk kanë marrë masa që mësimi online të jetë shumë më efikas apo në vaksinimin e mësimdhënësve nëpër të gjitha nivelet”, ka thënë ai para mediave.

Tahiri  ka kërkuar që prezent në këtë seancë të jetë edhe kryeministri Albin Kurti.

Deputeti opozitar tutje ka njoftuar se në Kryesinë e Kuvendit është vendosur që në seancën që do të mbahet të enjten të diskutohet edhe për kërkesën e KOSTT-it, që t’u ndahen 11 milionë euro për pagesën e shpenzimeve të energjisë elektrike për serbët e veriut.

“Pra, mazhoranca vendosi që në seancën e ardhshme, si propozim i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ka ardhur nga Komisioni për Ekonomi, të diskutohet edhe çështja e pagesave të energjisë elektrike për veri të Kosovës nga taksat e qytetarëve, një shumë rreth 11 milionë euro”, ka deklaruar Tahiri./Insajderi.com