Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), tashmë ka filluar me projektin investiv, ku shtyllat dhe kabllot ajrore do të largohen përfundimish në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, njofton Insajderi.
Rrjeti elektrik do të vendoset nën tokë, përgjatë distancës 4km që përshkon këtë rrugë së bashku me rrugicat tjera.
Procesi i hapjes së kanaleve veçse ka filluar, në të cilat do të vendosen gypat përmes së cilave do të kalojnë kabllot nëntokësore që do të furnizojnë konsumatorët e asaj rrethine.
“Punimet të cilat filluan ditë më parë janë duke u zhvilluar me dinamikë të lartë të punës dhe të njëjtat pritet të përfundohen deri në fund të Qershorit”, thuhet në njoftim.
“Gjithashtu, në disa lagje të kryeqytetit është vendosur rrjeti nëntokësor në kuadër të mega projektit investiv në Prishtinë, ku vlera e të cilit kap shifrën prej rreth 17 milionë eurosh e që parasheh largimin e mbi 2500 shtyllave elektrike të Tensionit të Ulët dhe vendosjen nën tokë të 90% të rrjetit të Tensionit të Mesëm”. /Insajderi.com