Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, thotë se Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, duhet të punojnë përgjatë vitit që t’i bëhet presion vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, që ta njohin pavarësinë e saj dhe të liberalizohen vizat për qytetarët e këtij vendi, njofton Insajderi.
Kështu u shpreh ai në një shkrim të publikuar në ‘Peacefare’, të quajtur ‘Non-paper’ që nuk do të kënaqë askënd dhe do t’i përfshijë të gjitha çështjet e lidhura me Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe heqjen dorë nga ideja e Bashkimin Kombëtar të Kosovës me Shqipërinë, për çka ai thotë se nuk është një ide vetëm e keqe, por shkatërrimtare.
“Bashkimi me Shqipërinë nuk është thjesht një ide e keqe, por një shkatërrimtare”, ka thënë ai.
Sipas tij, deri në vitin 2022, duhet të përgatitet terreni në BE, Kosovë, e Serbi, që të ketë një normalizim të marrëdhënieve bazuar në njohje reciproke.
Serëer thotë se një çështje tjetër në të cilën duhet të punojë Kosova është të sigurojë më shumë të drejta popullit serb dhe Kishës Ortodokse serbe, ndërsa në Serbi, ky vit duhet të përfshijë “diskutime shumë më serioze sesa ka ndodhur deri më tani se si dhe pse sovraniteti mbi Kosovën u humb nën Millosheviqin dhe pse nuk mund të rikthehet tani”
Ai ka cekur edhe kundërshtimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndaj njohjes diplomatike të Kosovës. Ky i fundit përfolet të ketë thënë se Kosova nuk do marrë njohje deri në përfundim të mandatit të tij, respektivisht deri më 2022-tën.
Në fund, sipas tij, Serbia do të duhet të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe të vendosë marrëdhënie zyrtare diplomatike në nivelin ambasadorial, “asgjë më pak nuk duhet të jetë e pranueshme për ShBA-të, BE-në dhe MB-në”. /Insajderi.com