Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari, ka njoftuar se disa organizata arabe pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, kanë shkuar te familja e tyre dhe kanë shprehur gatishmërinë që të investojnë në Kullat që të bëhen muze, transmeton Insajderi.
Jashari, i cili njëherësh është kryetar i Komunës së Skenderajt, ka deklaruar se kushti i vetëm i tyre ishte që në hyrje të kompleksit të shkruhet që Adem Jashari ka luftuar për fe.
“Kanë ardh pasufte shoqata, organizata jo qeveritare nga shtetet arabe te familja dhe kanë thënë jemi të gatshëm me bërë kompleksin një nga muzet më të bukura në botë, me të vetmin kusht që në hyrje të kompleksit të shkruhet se Ademi ka luftu për fe, por ne s’kemi pranuar”, ka treguar Bekimi në intervistën REPORTERI N’KOMUNA.
Ai ka theksuar se Adem Jashari nuk ka luftuar për fe, por për liri.
“Jo vetëm Adem Jashari, por asnjë shqiptar, e sidomos Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk i kanë rrokur armër për të luftuar për shkak të fesë”, ka deklaruar Jashari.
Ai tutje ka shtuar se familja Jashari i përket fesë islame dhe se Adem Jashari dhe Hamëz Jashari kanë agjëruar gjatë muajit të Ramazanit, ndonëse jo çdo herë./Insajderi.com