Lushtaku: Nëse Kurti nuk jep garanci për njerëzit tanë në Hagë, s’mund të jetë kryeministër

Lushtaku: Nëse Kurti nuk jep garanci për njerëzit tanë në Hagë, s’mund të jetë kryeministër

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, është shprehur se kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk duhet të presë nga dikush t’i kërkojë që të japë garanci për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, transmeton Insajderi.

Sipas tij, nëse nuk e bën një gjë të tillë, Kurti s’mund të jetë kryeministër i shqiptarëve të Kosovës.

“Ne nuk kemi nevojë të ushtrojmë presion ndaj askujt. Nëse Kurti është kryeministër i Kosovës kjo punë nuk do koment. Nëse ai nuk e bënë një gjë të tillë ai nuk mund të jetë kryeministër i shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Lushtaku në “Debat Plus”.

Ai më pas e ka zbutur këtë deklaratë duke thënë se “nuk mund të jetë kryeministër në aspektin moral.

“Ai moralisht nuk mund të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës…Pra nëse zoti Kurti nuk jep këtë siguri Gjykatë Speciale për lirimin me kusht të njerëzve që janë në Hagë, moralisht ai nuk është kryeministër i Kosovës”, ka deklaruar Lushtaku.

Së fundmi, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare, Hisen Berisha, ka bërë të ditur se Izraeli ka dhënë sinjale që të japë garanci për lirimin me kusht të të akuzuarve në Hagë. Sipas tij, përveç Izraelit, të gatshme për të dhënë garanci janë shprehur edhe Kroacia, Sllovenia dhe Austria./Insajderi.com