Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se Qeveria e Shqipërisë duhet të hapë një pikë të vaksinimit për qytetarët kosovarë në Morinë, pasi sipas tij Qeveria e Kosovës ka dështuar që të sigurojë vaksina, njofton Insajderi.
“Hapja e një pike të vaksinimit për qytetarët e Kosovës në Morinë nga Qeveria e Shqipërisë tani më është domosdoshmëri, sepse Qeveria e Kosovës ka dështuar”, ka thënë ai.
Haxhiu ka shkruar në Facebook se Ministria e Shëndetësisë nuk i ka dërguar kërkesë kompanisë, që sipas tij “ka ofruar 500 mijë deri në 3 milionë vaksina Pfizer”.
“Qeveria nuk ka nënshkruar parakontratën e ofruar nga Pfizer. Në ofertë që unë ua kam siguruar, MSH për 3 javë as email – kërkesë nuk i kanë dërguar kompanisë që na ofroi 500 deri 3 milion vaksina Pfizer. Kjo përveç qe është neglizhence dhe padituri, për me keq është mungesa e vaksinave, është rrezikim i drejtpërdrejtë i shëndetit dhe jetës së qytetarëve tanë, është vdekje për shumë qytetarë të Kosovës”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Ai theksoi se në dhjetë ditët e fundit janë bërë zero vaksinime, derisa për gjashtë javë të Qeverisë Kurti 2, janë rexhistruar 431 raste të vdekjeve si pasojë e COVID-19./Insajderi.com