Austria ofrohet si ndërmjetësuese në kontestin Shkup-Sofje

Austria ofrohet si ndërmjetësuese në kontestin Shkup-Sofje

Austria ofron të jetë ndërmjetëse midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të kapërcyer ngërçin që ka zhbllokuar perspektivën evropiane të vendit. Kështu tha ministrja për Evropën dhe Kushtetutën e Republikës së Austrisë, Karoline Edstadler, e cila është për vizitë në vendin fqinj.

Ministrja austriake theksoi partneritetin me vendin fqinj dhe mbështetjen që Vjena i jep Maqedonisë  së Veriut dhe për këtë arsye dëshiron që procesi i zgjerimit të zhbllokohet dhe konferenca e parë ndërqeveritare të zhvillohet gjatë presidencës portugeze deri në qershor, shkruan Insajderi.

“Nuk i kuptoj disa vende këtu që bllokojnë aspiratat e Maqedonisë së Veriut, nuk e kuptoj Bullgarinë, por kemi besim të plotë në presidencën portugeze. Nuk e di të gjithë historinë, por e di se çfarë do të thotë të merresh me të kaluarën. Unë jam politikane që kujdesem për të ardhmen dhe perspektivën. Maqedonia e Veriut i përket Evropës dhe duhet ta përfundojmë atë proces. Dua që vendi të shpërblehet për të gjithë hapat që ka ndërmarrë deri më tani” tha ajo.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, theksoi rëndësinë që Maqedonia e Veriut të bëjë përparim drejt BE-së dhe të fillojë negociatat menjëherë pas 16 vitesh pritje në dhomën e pritjes së BE-së.

“Ne kemi qenë vend kandidat për 16 vjet dhe rasti ynë është test i vërtetë për BE-në. Është koha të fillojmë negociatat e pranimit. Me Bullgarinë jemi fqinjë që ndajnë shumë. Në këtë kontekst ose do të jemi bashkë ose do të jemi fitues së bashku. Ne humbëm disa gjenerata në dhomën e pritjes së Evropës. Kemi bërë shumë gjatë viteve të kaluara dhe zgjidhjen e problemeve në shtëpi dhe problemeve me vendet e tjera. Nëse BE-ja e flak këtë sukses, do t’i dërgojë një mesazh të keq rajonit. Na duhet mesazh nga BE-ja që është vërtet serioz kur bëhet fjalë për zgjerimin” tha ai.

Dimitrov falënderoi Austrinë për përpjekjen për të qenë pjesë e negociatave me Pfizerin për shpërndarjen e vaksinave në Maqedoninë e Veriut, për mbështetjen e Vjenës në procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimin ekonomik. /Insajderi.com