Kusari-Lila mbron Gërvallën: Deklaratat i ka dhënë si qytetare gjatë vitit 2015

Kusari-Lila mbron Gërvallën: Deklaratat i ka dhënë si qytetare gjatë vitit 2015

Ushtruesja e Detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se deklaratat të cilat i ka dhënë Donika Gërvalla në vitin 2015 janë nga pozita e qytetares.

Gërvalla gjashtë vite më parë kishte deklaruar se “do të deponojë materiale në gjykata ndërkombëtare për ish-krerët e UÇK-së”, për siç ka deklaruar ajo vrasje të kundërshtarëve politikë, pas luftës”.

“Prandaj të sjellet në kontekst kohor diçka që është thënë para 6 viteve, në rrethanat në të cilat po këta krerë shtetëror të  cilët janë në Hagë kanë deklaruar se ata që nuk e votojnë Specialen janë armiq të Kosovës. Prandaj pse gjithë ky fokus në deklaratën e zonjës Gërvalla kur ishte qytetare e lirë”, ka thënë Kusari-Lila në Kanal 10.

Ajo kujtoi kohën kur Hashim Thaçi e Kadri Veseli insistonin që deputetët e Parlamentit të Kosovës ta votonin Gjykatën Speciale.

Kjo gjykatë po i akuzon ish-krerët e UÇK-së për “krime lufte”, ndërsa vazhdon t’i mbajë në paraburgim tash e shtatë muaj. /Insajderi.com