Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, ka thënë se objektivi i qeverisë është që të vaksinohen 60 për qind e popullsisë, njofton Insajderi.
Në këtë konferencë, e cila u mbajt në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, që është shëndërruar në qendër vaksinimi, me vaksinat e kompanisë Pfizer, të ardhura nga Bashkimi Evropian, synohet të vaksinohen grupet e rrezikuara para stinës së verës, e më pas të vijohet edhe me pjesën tjetër në përputhje me planin shtetëror të vaksinimit anti-COVID.
“Sot po e rifillojmë procesin e vaksinimit me qëllim që të mos ndalemi dhe të vazhdojmë derisa të arrijmë objektivin tonë për vaksinimin e 60% të popullësisë. Ne synojmë të vaksionojmë grupet e rrezikuara para stinës së verës dhe të vijojmë me pjesën tjetër në përputhje me planin shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19. Qeveria është duke punuar pa u ndalur për të rritur furnizimin me vaksina dhe jemi në rrugë të drejt në përmbushjen e këtij qëllimi”, ka thënë Kurti.
Nga ana tjetër, komisionieri Varhelyi, tha se ndihma e BE-së me vaksina për Kosovën është kontributi më i rëndësishëm, ndonëse ka marrë pak kohë deri në realizimin e kësaj ndihme.
“Kjo është vetëm dërgesa e parë dhe ne do të vazhdojmë në bashkëpunim me kryeministrit që të marrim më shumë vaksina në mënyrë që të gjithë të vaksinohen”, tha Varhelyi duke shtuar se BE-ja kujdeset për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. /Insajderi.com