Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka kërkuar që të dijë arsyen pse nuk po kthehen në Thesarin e Shtetit 2.1 milionët e vjedhura në kohën sa ajo ishte ministre, duke thënë se ato mjete kanë shkuar nëpër subjekte ekonomike dhe individë prej një vepre kriminale.
Sipas saj, këto mjete është dashur të kthehen, ndërkohë gjykimi të merr edhe kohën e duhur.
Këto komente Bajrami i bëri në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike pas pyetjes që adresoi anëtari i komisionit Eman Rrahmani për Ministrinë e Financave rreth këtij procesi.
“A keni marrë hapa edhe a kemi garanci se nuk do të ndodhin vjedhje të tilla ashtu siç ka ndodhur ky i 2.1 milionëshit dhe a është marrë diçka në lidhje me atë ose a janë kthyer ato mjete, apo si është situata”, pyeti deputeti Rrahmani.
Pyetjes së tij iu përgjigj zëvendësministri i Financave, Ilir Kapiti, i cili deklaroi se për këtë çështje janë në pritje të përgjigjes nga Prokuroria e Shtetit.
“Edhe ne presim një përgjigje nga Prokurori që merret me këtë çështje dhe besoj që së shpejti do të vijnë me ndonjë përgjigje, e cila do t’u jepet të gjithëve. Sa i përket asaj që një gjë e tillë mos të ndodhë, kemi ndërmarrë të gjithë hapat. Kemi kontakte dhe takime të përditshme me Thesarin dhe Raport Javor në ministri për rrjedhën e punës në Thesar. Besoj që të gjitha elementet, të cilat kanë qenë inkriminuese dhe elemente që kanë lënë hapësirë të bëhen gjëra të tilla janë eliminuar”, tregoi zëvendësministri i Financave.
Në tetor të vitit të kaluar mbi 2.1 milionë euro janë vjedhur nga Thesari i Kosovës.
Lidhur më këtë rast Policia e Kosovës ka arrestuar L.G, punëtor i Thesarit, i cili dyshohet se ka bërë transferimin e parave përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë LDA Group Shpk. /Insajderi.com