Gërvalla: As nuk kam qenë e as nuk jam dëshmitare e Speciales

Gërvalla: As nuk kam qenë e as nuk jam dëshmitare e Speciales

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka treguar nëse ka qenë ndonjëherë dëshmitare e Gjykatës Speciale në Hagë, njofton Insajderi.

Gërvalla thotë se nuk ka qenë asnjëherë dëshmitare e Tribunalit të Hagës për krimet e pretenduara që kanë ndodhur nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë ajo e bëri të ditur në konferencën për media të mbajtur me homologun e saj kroat, Gordan Grlic-Radman.

“Për të mos e keqpërdorur vizitën e homologut, një përgjigje shumë e shkurtër për Specialen: As nuk kam qenë e as nuk jam”, ka thënë Gërvalla, duke thënë se po përgjigjet shkurt meqë konferenca është thirrur për një çështje tjetër.

Gjatë konferencës, Gërvalla tha se do të vazhdojë bashkëpunimi bilateral në shumë fusha të ndryshme me këtë shtet.

“Sot pata kënaqësinë e veçantë që të kemi mysafir,ministrin kroat, ministër i një shteti i cili jo vetëm sot, por edhe në të kaluarën e ka mbështetur Kosovën – para pavarësisë por edhe pas saj. E falënderova shumë për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtet ndërtimit. Theksova në mënyrë të veçantë  raportet e shkëlqyera që kanë dy vendet miqësinë, bashkëpunimin bilateral në shumë fusha të ndryshme”.

“Biseduam gjithashtu për prioritete politikës së jashtme  të Kosovës  dhe për integrimet euroatlantike dhe nevojën që kemi për konsultimet e vazhdueshme me shtetin kroat, për të përfituar nga njohuritë dhe përvoja e Kroacisë”, tha Gërvalla.

Shefja e diplomacisë kosovare theksoi gjithashtu se homologu kroat i ka dhënë një lajm të mirë lidhur me menaxhimin e pandemisë për COVID-19, por që sipas saj, ky lajm do të plasohet më vonë.

“Në kuadër të menaxhimit të pandemisë të virusit COVID-19, biseduam gjatë dhe ministri kroat më dha një lajm të mirë i cili do të komunikohet më vonë gjatë ditë së sotme”, u shpreh Gërvalla. /Insajderi.com