Vendimi për ndarjen e 11 milionë eurove për veriun, Lekaj: Do t’i ndjekim procedurat ligjore

Vendimi për ndarjen e 11 milionë eurove për veriun, Lekaj: Do t’i ndjekim procedurat ligjore

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, kritikoi vendimin e Kuvendit për ndarjen e rreth 11 milionë eurove për pagesën e energjisë për banorët e komunave veriore të Kosovës, duke shtuar se për këtë do t’i ndjekin procedurat ligjore, njofton Insajderi.

Në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, Lekaj tha se me këtë veprim Qeveria dëshmoi se nuk ka potencial të ndëshkojë shkelësit e ligjit që e keqpërdorin rrymën.

“Dhe shuma prej 11 milionë qe duhet të paguajnë qytetarët e Kosovës është e habitshme që edhe pas arritjes së pavarësisë energjetike Qeveria e Kosovës po shantazhohet nga serbët përpos dëmtim financiar. Me këtë vendim qeveria po pajtohet që s’ka potencial t’i ndëshkoj shkelësit që keqpërdorin rrymën. Qeveria po dëshmon qe s’ka kapacitete të zbatojë Ligjin në mënyrë efektive në të gjithë territorin e Kosovës. Qeveria Kurti me vendimin për pagesën e 11 milionë eurove shkeli barazinë e qytetarëve”, u shpreh ai.

Sipas tij, Qeveria Kurti më të lehtë e ka të japë para për të paguar rrymën në veri, se sa për të mbrojtur të akuzuarit në Hagë.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe kanë votuar të enjten pro propozimit që shteti t’i ndajë mbi 10 milionë euro për t’ua paguar rrymën serbëve në veri të Kosovës.

Opozita ka kundërshtuar, duke e akuzuar LVV-në për “shkeljen e premtimeve”./Insajderi.com