Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, e cila bashkë me Listën Serbe votuan të enjten pro ndarjes së 11 milionë eurove nga shteti për të paguar rrymën në veri, njofton Insajderi.
Sipas saj, me këtë veprim Kuvendi ka ndërhyrë drejtpërdrejt në menaxhimin e KOSTT-it “dhe ka shumë gjasa që Qeveria Kurti do të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthejë këto mjete KOSTT-it”.
“Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Tani që LVV është në pushtet, veprimet kundërshtuese – të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim”, shkroi Bajrami në profilin e saj në Facebook.
Ajo tutje shtoi se deklarata e shumicës se Qeveria dorëzohet para ligjshmërisë në veri e frika e kthimit të “policëve në arkivol” është sa skandaloze aq edhe dorëzuese; “mbi të gjitha është deklaratë ofenduese për të gjitha forcat në detyrë”.
Në fund, Bajrami tha se “LDK-ja do të vëzhgojë nga afër zotimet e deputetëve të Vetëvendosjes se brenda gjashtë muajsh Qeveria Kurti do të shtrijë autoritetin dhe kontrollin në katër komunat veriore duke siguruar që qytetarët atje do të paguajnë faturat e tyre të energjisë”./Insajderi.com