Pallaska: Nuk ekziston asnjë arsye që Thaçi të mbahet në paraburgim

Pallaska: Nuk ekziston asnjë arsye që Thaçi të mbahet në paraburgim

Avokati Dastid Pallaska deklaroi të enjten se për klientin e tij, ish-presidentin Hashim Thaçin, nuk ekziston asnjë arsye të mbahet në paraburgim në Hagë, transmeton Insajderi.

Sipas avokatit Pallaska, Thaçi as nuk duhej që të arrestohej vitin e kaluar.

“Tanimë janë bërë gjashtë muaj që ai është në paraburgim dhe arsyet janë të pathemelta. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kur është vlerësuar imuniteti i anëtarëve të qeverisë, presidentit dhe anëtarëve të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar qartësisht se derisa presidenti mund të ndiqet penalisht për veprat penale që mund t’i ketë kryer jashtë funksionit të tij, nën asnjë rrethanë nuk mund të arrestohet dhe as të paraburgoset”, ka thënë Pallaska në T7.

Ai tutje ka shtuar se ish-presidenti dhe të tjerët nuk i kanë takuar as edhe një herë familjarët e tyre, që gjashtë muaj sa po mbahen në paraburgim.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte./Insajderi.com