Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në Komunën e Prishtinës, e cilësojnë Shpend Ahmetin si një ndër kryetarët më të dobët që ka pasur kryeqyteti.
Në një intervistë për Ekonomia Online tre asamblistët e këtyre tri partive politike në opozitë thonë që shumë pak nga sa është premtuar është bërë nga ana e kryetarit.
Emine Nikçi-Rexha nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se asnjë nga 100 premtimet e Ahmetit nuk është realizuar.
Sipas saj dhe grupit që përfaqëson, kryetari Ahmeti nuk ka realizuar gjërat esenciale, si ndriçimi publik, qentë endacakë e shumë çështje tjera të premtuara.
“Gjërat esenciale nuk janë bërë, ndriçimi publik në shumë lagje nuk është bërë, çështja e qenve endacakë, linjat e rregullta të trafikut urban mungojnë në shumë lagje, është premtuar renovimi i pallatit të Rinisë nuk ka nisur akoma, është premtuar ndërtimi i fushave sintetike të futbollit as aty nuk ka ndonjë rezultat, dhe këto po mbesin vetëm letra dhe fushatë parazgjedhore dhe mospuna e kryetarit Ahmeti”, thekon ajo.
Nikçi-Rexha thotë se përkundër shumës enorme të buxhetit nga viti në vit, nuk ka ndonjë raport të mirëfilltë për shpenzimin e buxhetit, kur investimet kapitale janë zero.
“Çdo vit e kemi në bartje të shumës enorme të buxhetit nga viti në vit, ku vetëm këtë vit kemi bartje të 34 milionë euro të buxhetit, kemi drejtori në komunën tonë që e kanë zero shpenzimin e buxhetit, dhe nuk kemi raport të mirëfilltë nga ta, por investimet kapitale janë zero”, përfundon ajo.
Edhe Mirsad Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje thotë që kryetari Shpend Ahmeti është larg çdo pritshmërie të kryeqytetasve të Kosovës, duke cekur këtu mosrealizimin e shumë premtimeve të zotuara nga ai.
“Tash jemi në përfundim të mandatit të tij dhe siç e dini Prishtina sot ka probleme të ngjashme me të vitit 2017 ato që ishin e nuk janë realizuar”, thotë ai.
Vitia thekson që nga gjitha ato premtimet e kryetarit, as 2/3 e zotimeve nuk janë realizuar.
“Nëse i marrim të gjitha premtimet e kryetarit, në vitin 2017 kur ka garuar ai ka pas në 100 zotime në 10 fusha, mirëpo fatkeqësisht mund të themi nga që nga ato 100 mendoj që 2/3 e zotimeve të tij nuk janë përmbushur. Sot nuk e kemi spitalin e qytetit, nuk e kemi teatrin, s’e kemi galerinë dhe nuk kemi shumë projekte të tjera që janë premtuar dhe nuk janë asgjëkund, mandati i tij po përfundon, mirëpo ato nuk janë as në fillim të punës”, deklaron Vitia.
Në anën tjetër, Leutrim Retkoceri nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se premtimet e zotuara nga kryetari Ahmeti janë në pikën më të ulët të realizimit, me një performancë shumë të ulët të menaxhimit.
“Realisht premtimet e zotuara nga kryetari Ahmeti, janë në pikën më të ulët të realizimit dhe për fat të keq komuna e Prishtinës bashkë me këtë qeverisje renditet në komunat me performancën më të ulët të menaxhimit dhe të qeverisjes së mirë për qytetarët Prishtinës, duke e pasur parasysh që Prishtina është edhe kryeqytet kjo e handikapin jashtëzakonisht jetën e qytetarëve të Prishtinës ku për tetë vite ka pasur një regres në zhvillimin e kryeqytetit”, pohon Retkoceri.
Retkoceri thotë që realizimi i shumë projekteve është shumë i dobët dhe të mbetura në letër, pa ndonjë projekt serioz.
“Realizimi është jashtëzakonisht i dobët, këtu krejt çka kemi të bëjmë është se ato projekte mbesin në letër dhe realizimi nuk shihet askund. E kemi parë si në çështjen infrastrukturore deri tani nuk ka pasur as një lëvizje serioze dhe tani kur këto lëvizje janë, janë vetëm për sy e faqe sa për t’i mbuluar disa gropa që për fat të keq vozitësve të komunës së Prishtinës është duke ia shkatërruar secilën herë pasuritë e tyre, në anën tjetër nuk kemi asnjë projekt serioz përveç atij që ka filluar të parkingut nëntokësor dhe nuk ka asnjë parking tjetër të hapur. Nga këto tetë vite të qeverisjes nuk kemi asnjë vend parking të ri të krijuar”, deklaron ai.
Mungesën e Spitalit të Prishtinës, Retkoceri ia vë fajin vet kryetarit Ahmeti, pasi sipas tij, ai ka vepruar me inate politike duke hezituar për të caktuar një lokacion të propozuar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
“Situata me pandeminë ka qenë një situatë ku edhe ne si parti opozitare kemi luajtur një rol mbështetës për çdo iniciativë dhe propozim që ka ardh në mënyrë që të mos bllokojmë me votim por të kalojë ajo që të ketë diçka në dobi të qytetarëve, në fillim ka qenë një përpjekje më e madhe e kryetarit të komunës por siç shihet nga fundi nuk kanë qenë fare të vërejtur në aspektin me ballafaqimin me pandeminë, pra kemi parë që Prishtinës jashtëzakonisht i ka munguar projekti kryesor në këtë pandemi, dhe ajo ka qenë mungesa e spitalit të Prishtinës, që kryetari ka hezituar në këtë drejtim për ta caktuar një lokacion të propozuar nga ish-ministri Uran Ismaili, dhe kjo tregon që çdo gjë që bëhet për inate politike e pëson qytetari”, shprehet tutje Retkoceri./Insajderi.com