Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk është e nevojshme pjesëmarrja e opozitës në delegacionet e Kosovës në dialogun me Serbinë, transmeton Insajderi.
Sipas tij, përgjegjësia e dialogut bie mbi Qeverinë.
“Nuk do të thotë opozita me qenë pjesë e delegacioneve, do të thotë opozita me qenë e informuar, pjesë e debatit të brendshëm me qenë pjesë e debatit edhe me dyer të mbyllura pse jo kur ka nevojë, por përgjegjësia duhet me qenë e adresuar tek ata që u ka dhënë kushtetuta e Kosovës të drejtën me përfaqësuar”, ka thënë ai për EO.
Raportimi i fundit në Komisionin për Punë të Jashtme, nga zëvendësministri Besnik Bislimi, ngjalli reagime dhe debate. Haliti thekson që raportimi ishte në mënyrë jo të rregullt dhe që sipas tij, Qeveria duhet ta ketë të qartë që Kosova është republikë parlamentare.
“Po raportimi ishte i ftuar në mënyrë jo të rregullt për mua, sepse është thirrur personalisht nga kryetari i komisionit, pa marrë miratimin e anëtarëve të komisionit, në pamundësi për t’u përgatitur dhe pa materiale përkatëse që është dashur me i pas me vete, se çfarë do të raportojë. Megjithatë mirë është që ka zëvendëskryeministër, kemi debatuar ka dhënë opinionin e vet edhe në seancën e hapur dhe të mbyllur, nuk ka mbetur asnjë çështje për të cilën nuk ka dhënë përgjigje. Prandaj mendoj që është obligim i secilit dikaster qeveritar që të raportojë në Kuvend dhe është diçka që mua më pengon jo vetëm tek kjo Qeveri, por në përgjithësi që akoma Qeveria e Kosovës nuk po e kupton se na jemi republikë parlamentare dhe nuk jemi republikë qeveritare dhe nuk po mund ta gjej ku është kontrolli qeveritar këtu”, përfundoi Haliti. /Insajderi.com