Grupi eksplorues i maleve në vend “Kosovo Mountain Club”, janë sulmuar me armë zjarri nga serbët në veri të Mitrovicës, transmeton Insajderi.
Ky grup sot ishte duke ecur në vendin e quajtur Shijak i Bubes që është në veri të Kosovës.
Por organizatori i këtij grupi, Adnan Beqiraj, ka thënë se nuk ka të lënduar.
“Jemi nisur për ecje në Zubin Putok në kufi me Serbinë dhe papritmas dy njerëz kanë dalë në mes të shtegut malor dhe me një distancë 30-40 kanë filluar të shkrepin me kallash”, ka thënë Beqiraj për KK.
“Nuk e di se a kanë qëlluar në drejtim tonë, por ne jemi kthyer prapa. Ata nuk kanë folur asgjë, por janë serbë sigurt”.
“Një herë ka shkrepur një plumb, pastaj kur jemi ulur në tokë, janë shkrepur mbi 30 të tjerë”, ka shtuar ai.
Beqiraj shton se janë duke ecur në Shalë të Bajgorës.
Kjo ngjarje e klubit të atletëve kosovarë ishte paralajmëruar tash pesë ditë. Pjesë e këtij grupi ishte edhe ish-deputetja, Donika Kadaj-Bujupi.
Para pak minutash vetë ish-deputetja Kadaj-Bujupi, ka publikuar një fotografi nga Mitrovica.
Gazeta Insajderi ka tentuar të kontaktojë me Kadaj-Bujupin, por e njëjta nuk është përgjigjur. /Insajderi.com