Krisma armësh, frikë, ankth, paqartësi. Kështu u zgjuan qytetarët e Kumanovës të Maqedonisë së Veriut para gjashtë viteve, respektivisht më 9 maj të vitit 2015. Ngjarja ndodhi pikërisht te Lagjja e Trimave, por trishtimi nga kjo ngjarje përfshiu gjithë territorin e shtetit fqinj, pasi nuk dihej saktë nëse nga luftimet e ashpra mes policisë dhe grupit, ka mbetur i vrarë edhe ndonjë civil. Gjithçka ishte mjegull. As policia e as zyrtarët e lartë shtetërorë nuk tregonin detaje mbi rastin. Kjo dhe linte hapësirë për lajme të rrejshme për gjoja civilë të vrarë, dhe në mesin e tyre edhe fëmijë, njofton Insajderi.
Policia ishte aty me artilerinë më të rëndë që e kishte, duke luftuar gjoja një grup që ka dashur të shkaktojë një konflikt të ri në Maqedoninë e Veriut. Kjo lagje mbeti e bllokuar për dy ditë, më 9 dhe 10 maj, por shumëçka mbetet e paqartë edhe pas 6 vitesh.
Nga kjo përleshje me armë humbën jetën tetë pjesëtarë të policisë dhe 10 nga grupi i armatosur. U plagosën 37 pjesëtarë të policisë dhe u shkatërruan mbi 25 shtëpi. Në mesin e grupit të armatosur që u vranë dhe u arrestuan shumica ishin shtetas të Kosovës, ish-luftarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, mbetet mister ende pse ata ish-luftarë ndodheshin në atë vend.
Partia opozitare shqiptare në RMV, Aleanca për Shqiptarët vlerëson se data 9 maj çdo herë të sjell në mendje 9 Majin e vitit 2015, procesin e montuar politik, gjyqësor e policor dhe përlegjjen e përgjakur në Lagjen e Trimave.
Sipas kësaj partie enigma e këtij rasti, e cila ndodhi në kulmin e zbulimit të përgjimeve të funksionerëve politik të përfshirë në krim dhe korrupsion, flet shumë se ai proces ishte i montuar dhe i orkestruar pavarësisht se nuk përfundoi ashtu siç e kishin paramenduar porositësit.
“Edhe pas shqiptimeve të qindra viteve burg, të anëtarëve të grupit të Kumanovës, sot e kësaj dite kjo Qeveri LSDM -BDI nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të inicuar një hetim të pavarur gjyqësor ndërkombëtar, që ishte edhe vetë premtim parazgjedhor i kryministrit Zoran Zaev. Ndërsa, BDI si pjesë e qeverisjes së atëhershme me VMRO-DPMNE dhe sot pjesë e koalicionit me LSDM, ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë që ka lejuar të ndodhë një proces i tillë i montuar ku humbën jetë njerëz të pafajshëm nga të dy anët dhe u burgosën shumë shqiptarë me burg të përjetshëm”, theksohet në reagimin e partisë opozitare ASH, shkruan Insajderi.
Për rastin e Kumanovës u arrestuan dhe gjykuan 37 persona. Procesi gjygjësor zgjati dy vjet dhe prej 37 të akuzuarve për terrorizëm, vetëm katër persona u liruan nga akuza. /Insajderi.com