Ish-ministri i Bujqësisë në Shqipëri, Edmond Panariti, ka bërë dallimin e kërpudhave helmuese, pas rastit të ndodhur në Durrës ditë më parë, kur ndërruan jetë tre anëtarë të një familje nga Kosova pas helmimit në Gjirin e Lalëzit, transmeton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Panariti thotë se në Shqipëri, në zona pyjore rritet kërpurdha helmuese “Kësula e Vdekjes” që përmban lëndën toksike amatoksinë e cila i reziston dhe nuk shkatërrohet nga gatimi, zjerja, pjekja, skuqja.
Ai thotë se këto kërpudha shkaktojnë vdekje të menjëhershme sapo të konsumohen.
Postimi i plotë:
Trishtim për humbjen e jetës nga helmimi i dyshuar nga konsumi i kërpudhave i familjes Kosovare, nga Gjilani.
Toksikologjia analitike ligjore duhet të thotë fjalën e fundit.
Megjithatë, është thuajse e pamundur të dallosh me sy të lirë llojet normale nga ato helmuese të kërpudhave.
Dy këpurdhat e para në foto janë shumë helmuese ndërsa e treta aspak. Por dallimi me sy të lirë është shumë i vështirë.
Kur them shumë helmuese, do të thotë se mjafton gjysëm këpurdhe për të shkaktuar vdekjen pas ngrënies.
Te ne, kudo në pyje dhe terrene me hije dhe me lagështi, rritet këpurdha helmuese “Kësula e Vdekjes”..
Kjo këpurdhë përmban lëndën toksike amatoksinë e cila i reziston dhe nuk shkatërrohet nga gatimi, zjerja, pjekja, skuqja.