Policia e Kosovës jep detaje për incidentin në Zubin Potok

Policia e Kosovës jep detaje për incidentin në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e së dielës në Zubin Potok, ku është gjuajtur armë afër një grupi bjeshkatarësh në Shijak të Bubës.

Në njoftim thuhet se pas shikimit në vendngjarje, ende nuk është gjetur asnjë gëzhojë, njofton Insajderi.

Por, pas marrjes së dëshmive nga ankuesit, do të bëhet edhe një herë rishikimi i vendit të ngjarjes.

“Dëshmitaret e rastit, përkatësisht ankuesit e këtij rasti, sot gjatë ditës janë intervistuar nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtit gjatë ditës së djeshme nuk kane dhëne deklarata me pretekst se deklaratat do ti deponojnë në polici në Prishtinë”.

“Sot nga orët e paradites, policia ka siguruar deklaratat e 10 ankuesve, ndërsa hetuesit policor së bashku me dëshmitaret dhe njësitë policore mbështetëse do të bëjnë serish shikimin e vendit të ngjarjes me qellim të kërkimit të provave materiale”, njoftoi Policia e Kosovës.

Nga banorët Zubin Potokut është kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës për zbardhjen e rastit të raportuar. /Insajderi.com