Gastronomët paralajmërojnë protesta të “ashpra “nëse nuk zgjatet orari i punës

Gastronomët paralajmërojnë protesta të “ashpra “nëse nuk zgjatet orari i punës

Kryetari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka paralajmëruar protesta “të ashpra” nëse institucionet nuk i konsultojnë për masat e reja, siç thotë ai duhet sa më shpejtë të lirohen për sektorin e gastronomisë, përcjell Insajderi.

“Po shpresojmë të arrijmë në bisedime, mirëpo nëse nuk do të gjejmë një rrugë të përbashkët kuptohet që s’na mbetet tjetër vetëm protesta”, ka thënë ai.

Kllokoqi ka theksuar se nuk do t’i nënshtrohen asnjë qeverie, duke shtuar se duhet të këtë një plan konkret për të gjetur zgjidhje dhe jo të merren vendime ad hoc.

“Nuk mund të dalim që dy ditët e fundit të themi se po i hapim klubet e natës dhe sallat e dasmave sepse një dasmë duhet më herët të organizohet. Kështu që nuk mund të merren vendime ad-hoc por duhet të ketë një plan program dhe po shpresojmë që ditët në vijim do të na ftojnë për të diskutuar dhe për ta konkretizuar planin”, ka pohuar kryetari i gastronomeve”, ka thënë ai për EO.

Tutje, ai ka kërkuar zgjatjen e orarit të punës si dhe largimin e orës policore.

“Ne jemi duke biseduar për hapjen e klubeve të natës dhe sallave të dasmave. Kuptohet që këto nuk mund të mbahen ditën dhe orari i punës duhet të zgjatet dhe të hiqet ora policore totalisht”, ka potencuar Kllokoqi.

Ai tha se ndonëse iu premtua subvencionim i pagës dhe qerasë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende./Insajderi.com