Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarën për vrasjen e motrës gjatë ditës së djeshme në Vragoli të Fushë Kosovës, njofton Insajderi.
Një grua 33 vjeçare ka mbetur e vdekur dje rreth mesditës në Vragoli të Fushë Kosovës, ndërsa dyshohet se është mbytur nga motra e saj.
E dyshuara është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkaq trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Gjithashtu, Prokuroria ka propozuar ekzaminim psikiatrik ndaj të dyshuarës.
“Ju njoftojmë se prokurorja e rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda është duke i udhëhequr hetimet në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, për sqarimin e rrethanave të kësaj vrasjeje. Po ashtu, ju njoftojmë se e njëjta sot ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit me propozim për ekzaminim psikiatrik ndaj të dyshuarës, në gjykatën kompetente”, ka bërë të ditur zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj. /Insajderi.com