Refuzohen ankesat për hedhje të aktakuzës në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Refuzohen ankesat për hedhje të aktakuzës në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në rastin e të pandehurve N.S.,M.R.,S.A., D.M., dhe R.B. në rastin e vrasjes së ish-liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviqit.

Sipas njoftimit për medie, ankesat e avokatëve janë refuzuar si të pabazuara, përcjell Insajderi.

Tutje, bëhet e ditur se aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 02.03.2021, është vërtetuar dhe kjo çështje penale do të vazhdojë sipas rregullave të procedurës penale.

Të pandehurit, po akuzohen nga ana e Prokurori Special për një serë veprash vepra penale të ndërlidhura si: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje e rëndë”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

“Kolegji prej tre anëtaresh i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, gjeti se gjykata e shkallës së parë, ka vepruar drejt kur i ka refuzuar kërkesat e mbrojtësve të pandehurve për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, si të pabazuara, meqë nuk paraqiten asnjë nga rrethanat e parapara ligjore, që determinojnë diçka të tillë”, thuhet tutje në njoftim.

Oliver Ivanoviq, më 16 janar 2018, është vrarë me gjashtë të shtëna në shpinë, para objektit të partisë së tij “Liria, Demokracia, Drejtësia” në Mitrovicën e Veriut./Insajderi.com