Hoti publikon dokumentet për dialog: Kryeministri aktual i ka pranuar të gjitha

Hoti publikon dokumentet për dialog: Kryeministri aktual i ka pranuar të gjitha

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka publikuar dokumentet që thotë se ia ka dorëzuar pasardhësit të tij në këtë post, Albin Kurti, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoti tha se Kurtit i janë dorëzuar të gjitha materialet e nevojshme, përfshirë procesin e dialogut, të protokolluara.

Ai shtoi se Qeveria paraprake ka qenë plotësisht e përgatitur për procesin e dialogut.

“Në fillim të mandatit është përgatitur dokumenti ‘Pozicioni i Republikës së Kosovës për dialog me Serbinë’, ku janë elaboruar në detaje, në mes tjerash, këto argumente: (1) Përhershmëria e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vulosur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, që nënkupton se pavarësia e Kosovës është në pajtim me ligjet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht është e pakthyeshme dhe e përhershme. (2) Integriteti territorial i Kosovës është i pa negocueshëm: Kjo përjashton çdo formë të dialogut për shkëmbime territoriale. (3) Organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket: Karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe çështje të tjera që sigurojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës si një i tërë nuk mund të jenë pjesë e dialogut. (4) Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, anëtarësimin në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, dhe hapja e rrugës për procesin integrimit euro-atlantik të Kosovës”, ka thënë ai.

Hoti në Facebook ka shkruar se ky dokument është dakorduar në Qeveri, është prezantuar në Kuvendin e Kosovës, është diskutuar me shoqërinë civile, dhe është dorëzuar tek partnerët ndërkombëtarë.

Ai ka thënë se të gjitha dokumentet e dialogut në qeverinë paraprake i janë dorëzuar kryeministrit aktual me rastin e dorëzimit-pranimit të detyrës.

“Një folder i protokolluar formalisht përmban në veçanti këto dokumente: Pozicioni i Republikës së Kosovës në dialog me Serbinë, Raport i detajuar (29 faqe) mbi kronologjinë e të gjitha zhvillimeve lidhur me dialogun (samitet, takimet në Bruksel të nivelit të lartë, takimet e koordinatorëve për dialog, vizitat në Prishtinë të ndërmjetësit për dialog, komunikimi me opozitën, koordinimi me Ëashingtonin, vizitat në vendet e Quintit për konsultim lidhur me dialogun, takimet me ambasadorët e Quintit dhe të vendeve të BE-së në Prishtinë lidhur me dialogun, përgatitjet e bëra etj.), Të gjitha dokumentet e dakorduara në Bruksel në disa runde të dialogut. Dokumentin voluminoz përgatitor për dialog lidhur me obligimet financiare të Serbisë ndaj Kosovës. Vendimi i Qeverisë për Këshillin e Ekspertëve për dialog. Marrëveshjet me Qeverinë Norvegjeze dhe Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetje për Këshillin e Ekspertëve për dialog”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka thënë se kryeministri aktual ka pranuar të gjitha informatat për të gjitha zhvillimet në procesin e dialogut. /Insajderi.com