Rend i gjatë i pritjes për vaksinim, qytetarët ankohen për mosorganizim

Rend i gjatë i pritjes për vaksinim, qytetarët ankohen për mosorganizim

Rendi i gjatë i pritjes është shkaktuar para sallës “1 Tetori” në Prishtinë në ditën kur është paraparë të nisë procesi i vaksinimit kundër COVID-19 të grupit të qytetarëve mbi moshën 65-vjeçare, njofton Insajderi.

Mirëpo, qytetarët nuk janë të kënaqur me mënyrën e organizimit të vaksinimit, pasi që sipas tyre po hynë shumë persona pa rend.

Shukrije Binaku, tha se edhe pse është në gjendje të rëndë shëndetësore, askush nuk po e merr në konsideratë dhe për t’i dhënë përparësi në vaksinim.

“Protezë edhe s’marrin në dorë hiç, nuk po më lejojnë as me u afruar”, theksoi Binaku.

Sipas njoftimit të së martës nga Ministria e Shëndetësisë, prioritet do të kenë personat e regjistruar në platformën “e-Kosova”.

Megjithatë, qytetarja Fatmire Sadriu, tha se ka aplikuar në këtë platformë, por nuk ka pasur përparësi për vaksinim.

Ajo u shpreh e pakënaqur me mënyrë e organizimit të vaksinimit, pasi që sipas saj, shumë persona janë futur pa rend.

“S’kam pas frikë, por e kam problem se ka kallaballëk. Interesimin për t’u vaksinuar e shoh pozitiv, dhe nuk ka të keqe, por organizimi është dashtë me qenë ma ndryshe. Kam aplikuar në ‘e-Kosova’ dhe nuk kam përparësi, kanë hyrë plot pa rend”, tha Sadriu për EO.

Deri tash në Kosovë janë vaksinuar rreth 29 mijë qytetarë. Fillimisht prioritet kanë qenë punonjësit shëndetësorë, personat mbi moshën 85-vjeçare si dhe ata me sëmundje kronike./Insajderi.com