Departamenti i Ekonoisë dhe Biznesit i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur konferencë për media lidhur me masat e pushtetit sa i përket ekonomisë, për çka thonë senuk është duke u ndërmarrë asnjë masë, por shumë fjalë.
Anëtari i këtij departamenti, Besian Mustafa, thotë se Programi i Qeverisë askund nuk përmend masa konkrete, derisa thotë se deri në vitin 2024, qytetarët do të paguajnë borxh të shtetit deri në 1.69 miliard euro.
Derisa përmend rastet se për çfarë do të futen në borxh qytetarët, Mustafa thotë se ata do të paguajnë mesatarisht nga 423 milionë euro në vit, çdo vit deri në fund të 2024-tës.
“Nuk përmendet askund masat konkrete, nuk ka asnjë fjalë të vetme se si do të rimëkëmbet ekonomia, shumë fjalë asnjë masë. Qeveria do t’i ngarkojë qytetarët me borxh për të subvencionuar ndonjë kompani proferenciale”, thotë ai.
“Programi i Qeverisë nuk jep përgjigje se si do të implimentohen një mori programe sociale të reja. Parasheh që deri në fund të vitit 2024 ta rris borxhin e shtetit prej 1.69 miliardë euro, pra qytetarët tanë do të futen në borxh prej mesatarisht nga 423 milionë euro në vit, çdo vit”.
“Rininë tonë, në vend që të përkrahet, Qeveria ka vendosur ta zhysë në borxhe deri në pleqëri. Shumë fjalë, asnjë masë, asnjë shifër”, ka thënë ai.
Mustafa ka thënë se programi qeverisës për vitin 2021-2025 është i zbrazët në aspektin ekonomik. Ai tha se në të ka vetëm premtime boshe pa caktim të masave dhe objektivave konkrete në këtë sektor.
“Në aspektin ekonomik ky program është i zbrazët dhe me premtime boshe pa caktim të masave dhe objektivave konkrete dhe i pa buxhetuar. E konsiderojmë absurde që programi i qeverisë premton zhvillim ekonomik pa thënë asnjë fjalë se sa do të jetë rritja ekonomike, sa persona do të mbesin pa punë, sa do të jetë buxheti pas katër vitesh, sa do të jetë deficiti tregtar, sa do të jenë investimet e huaja, sa do të rritet prodhimi vendor, si do të rritet eksporti”.
Më tutje ai tha se në programi qeverisës për sektorin e ekonomisë nuk është paraparë as programi për rimëkëmbje.
“Për tu bërë hapja dhe rimëkëmbja e sektorit privat edhe vaksinimi duhet që të bëhet shpejtë. Por qeveria përkundër premtimeve për ndryshime të mëdha, nuk ka program për rimëkëmbje, nuk ka masa, nuk ka buxhet. Nuk ka asnjë fjalë të vetme për buxhetin të cilin e planifikon qeveria drejt rimëkëmbjes ekonomik dhe zhvillimit në plan afatgjatë. Nuk parashihet asnjë projekt kapital për katër vitet e ardhshme përveç aty që do të vazhdojnë”, ka thënë më tutje Mustafa. /Insajderi.com