Deputeti malazez: Ministrja jonë e Mbrojtjes, vetëm sa nuk e luajti ‘Shotën’ në takim me Mehajn

Deputeti malazez: Ministrja jonë e Mbrojtjes, vetëm sa nuk e luajti ‘Shotën’ në takim me Mehajn

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka zhvilluar dje një takim virtual me homologen e tij malazeze, Olivera Injaq.

Në këtë takim ministrja Injaq ka shprehur vullnetin në zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit midis dy ministrive në fushat me interes të përbashkët, duke theksuar edhe procesin e menaxhimit të krizës së pandemisë COVID-19.

Nga ana e tij, ministri Mehaj theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në mes dy ministrive në interesin e përbashkët si dy vende fqinje dhe rajonit në përgjithësi.

Mirëpo, ndaj këtij takimi ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike Popullore në Mal të Zi, Milan Knezheviq.

Ai tha se Mali i Zi e ka njohur Kosovën më shpesh sesa vetë politikanët e Kosovës, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj.

Madje, duke ironizuar me ministren e Mbrojtjes së Malit të Zi, ai tha se Injaq vetëm sa nuk “e luajti Shotën” në këtë takim me Mehajn.

“Të gjithë ju që frikësoheni se Milo Gjukanoviqi të mos kthehet, pyesni a ka shkuar vërtet ai? Ministrja Injaq vetëm sa nuk e luajti ‘Shotën’ në takimin me Armend Mehajn. Kaq herë as Thaçi e as Haradinaj nuk e kanë njohur Kosovën sa Qeveria e Malit të Zi”, shkroi Knezheviqi në llogarinë e tij në Twitter, që njëherësh është edhe deputet në Kuvendin malazez. /Insajderi.com