Ngritet aktakuzë ndaj policit Haris Kelmendi për keqtrajtimin e një 18-vjeçari

Ngritet aktakuzë ndaj policit Haris Kelmendi për keqtrajtimin e një 18-vjeçari

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor, Haris Kelmendi dhe kolegut të tij, Agon Hyseni, për keqtrajtimin e 18-vjeçarit, Leotrim Rama.

Hyseni dhe Kelmendi dyshohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ndërsa ky i fundit ngarkohet edhe me veprën “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Lajmin për Insajderi-n e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, më 02.04.2021, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet H.K., në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 të KPRK-së dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga 386 të KPRK-së, si dhe ndaj personit me inicialet A.H., në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Ulaj.

Ndryshe, polici Haris Kelmendi kishte ushtruar dhunë mbi 18-vjeçarin Leotrim Rama, brenda stacionit policor. Krejt kjo kishte ngjarë tri vite më parë.

Video-incizimi i incidentit është shpërndarë në media dhe rrjete sociale muaj më parë, duke nxitur organet e drejtësisë që të marrin masa./Insajderi.com