Profesori i të drejtës kushtetuese, Përparim Gruda, po e konsideron hap të gabuar paraqitjen e një padie ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë, si pikë të rëndësishme në programin qeveritar të Qeverisë Kurti 2, transmeton Insajderi.
Gruda thotë se deklarimi për një padi të tillë pa studim paraprak, pa diskutim me ekspertë të fushës është i gabuar.
“Problemi është që Qeveria tashmë e ka hapur derën për këtë punë dhe mendoj që gabimi i parë është bërë. Nëse t’i paralajmëron padi dhe atë e shkruan edhe në program qeveritar, tërheqja prej kësaj, mosdërgimi i padisë gjithashtu ka konsekueca se tregon që t’i ke një inferioritet karshi argumenteve që duhet të ofrosh. Por edhe dërgimi në situatën kur gjasat për me fitu pothuasje janë të pamundura, janë shumë të pakta është gabim. Një gabim është bërë dhe shpresoj që te i dyti mos të arrijmë. Sygjeroj që të ulemi dhe të flasim seriozisht për këtë temë me ekspertë të fushës, të bëjmë një bilancë çfarë kemi bërë ne për 20 vjet, cilat prova i kemi mbledh, cilat i kemi administru e sistemu, cilat të dhëna i kemi. E shoh si gabim daljen në publik të kësaj çështje, thënien e kësaj vetëm përmes një deklarate, pa një studim paraprak është gabim, do të duhej të ndodhte e kundërta. Deklarimit se do të ushtrojmë padi pranë GJND-së do të duhej t’i paraprinte një proces i konstruktimit të gjerë me publikun”, ka thënë ai për EO.
Më tej profesori Gruda ka treguar dy rrugë ligjore kryesore përmes të cilave do të duhej të bëhej padia për gjenocid ndaj shtetit serb.
E para rrugë sipas tij është një proces i gjatë ku Kosova duhet të deponojë një deklaratë që të bëhet palë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kurse rruga e dytë është sigurimi i një vendi të tretë, si Shqipëria që mund të ushtrojë padi për interesin e Kosovës.
“Kosova mund ta padisë Serbinë për gjenocid, por rruga ligjore që Kosova me arrit deri te momenti kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e trajton këtë padi është jashtëzakonisht e vështirë, kjo për shkak se në rend të parë Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, nuk është palë në Statutin e Gjykatës. Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këto kushte Kosova mund të paraqitet para kësaj Gjykate me një padi vetëm në rrethanat kur ajo deponon një deklaratë pranë Sekretariatit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në të cilën shpreh zotimin për të respketuar Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe detyrimet dhe të drejtat që dalin për vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, vetëm pasi të deponohet kjo lloj deklarate Kosova mundet me u bë palë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kjo është edhe rruga e parë se si Kosova mundet me bë një padi për gjenocid. Rruga e dytë është me gjetë një vend të tretë, që të gjithëve nga shkon mendja te Shqipëria. Një vend i tretë që është anëtar i Kombeve të Bashkuara, që është palë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila mund të ushtrojë padi për interesin tonë”, ka sqaruar ai. /Insajderi.com