Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të martën ka emëruar tetë anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor.
Për emërimin e dy anëtarëve të tjerë, sipas Presidencës ekziston një paqartësi e dispozitave kushtetuese, ku si rrjedhojë Presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretimin e Nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës duke u bazuar në nenin 84 si dhe nenin 113 të Kushtetutës.
Këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina ka bërë të ditur emrat e anëtarëve të rinj, ndërkaq për dy të tjerë tha se Presidentja po pret sqarime shtesë nga Kushtetuesja.
“Anëtarët e emëruar janë: Sami Kurteshi (LVV), Alim Rama (LVV), Arianit Elshani (PDK), Florian Dushi (LDK), Ibrahim Selmanaj (AAK), Gordana Laban Zuvić (LS), Rifat Krasniç (KDTP), Fazli Stollaj (IRDK)”, tha Kupina për Insajderi-n.
Sipas tij për dy anëtarët e fundit, Gresa Bytyqi Kelmendi dhe Ilir Gashi, janë kërkuar sqarime shtesë nga Kushtetuesja.
“Sqarime shtesë janë kërkuar për nominimin e tretë për anëtare të KQZ-së nga radhët e GP të VV-së (Gresa Bytyqi Kelmendi) dhe për nominimin e dytë për anëtar të KQZ-së nga radhët e GP të PDK-së (Ilir Gashi)”, konfirmoi Kupina./Insajderi.com