AAK kërkon seancë të jashtëzakonshme për vaksinat: Nuk menaxhohet shteti me lëmoshë

AAK kërkon seancë të jashtëzakonshme për vaksinat: Nuk menaxhohet shteti me lëmoshë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar të premten që në Kuvendin e Kosovës të mbahet seancë e jashtëzakonshme lidhur me procesin e vaksinimit kundër Coronavirusit, njofton Insajderi.

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri tha se në seancën e së hënës duhet të diskutohet për këtë temë dhe jo për programin e Qeverisë Kurti.

Ai në një konferencë për media tha se “shteti nuk menaxhohet me lëmoshë”.

“Grupi parlamentar i AAK-së kërkon organizimin e një seance të jashtëzakonshme ku do diskutojmë vetëm një temë, vaksinimin në masë dhe parandalimin e keqmenaxhimit të pandemisë. Për ne seanca e të hënës nuk duhet ta diskutoj programin e qeverisë, situata na imponon debatin për vaksinimin në masë e jo për një pamflet partiak që nuk ka asnjë veprim e datë të sanksionuar për këtë temë”, theksoi Tahiri.

Ai shtoi se partia e tij është e gatshme për t’i dhënë mbështetje Qeverisë, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia të veprojnë për menaxhimin dhe sigurimin e vaksinave.

“Çka po ndodh o burra me blerjen e vaksinave. Buxhetin e keni në Qeveri. Duke qenë se është kështu kërkojmë nga kryeministri Kurti dhe Vitia të veproni. Merrni vendime! Parandaloni humbjen e jetëve! Jemi të barazuar me të gjitha vendet e varfra”./Insajderi.com