Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjsë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, premtoi se do ta trajtojnë me dhe kujdes të veçantë rastin e një të miture e cila dyshohet se u sulmua seksualisht në oborrin e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë, njofton Insajderi.
Të shtunën, është publikuar në media një video ku pretendohet se disa djemë të klasës së shtatë kanë tentuar të ushtrojnë seks oral mbi një të mitur në klasën e parë.
Në një postim në Facebook, Nagavci tha se ende nuk kanë pranuar asnjë informacion zyrtar lidhur me këtë.
“Në lidhje me shkrime dhe statuse të shumta që janë publikuar sot rreth një rasti që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të një shkolle në kryeqytet, edhe pse nuk kemi ende informata zyrtare, ju siguroj se do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë. Besoj se njejtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente”, shkroi ajo.
Ministrja tutje ftoi të gjithë që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e personave të përfshirë.
“Është shumë me rëndësi që në vazhdimësi të ketë bashkëpunim të plotë në mes të shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale e instucione tjera përgjegjëse. Të gjithë së bashku duhet të punojmë shumë për edukim dhe në mënyrë që t’i eleminojmë dukuritë negative nga shkollat dhe shoqëria jonë.
Meqë bëhet fjalë për fëmijë të mitur, i ftoj të gjithë që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e tyre”.
Ndërsa, nga Policia e Kosovës në një përgjigje për Insajderi-n kanë bërë të ditur se për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje, rasti po trajtohet nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale./Insajderi.com