22 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

22 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

Kanë kaluar 22 vjet që nga zhdukja e veprimtarit të mirënjohur të Lëvizjes Kombëtare, profesorit Ukshin Hoti, transmeton Insajderi.

Ai është zhdukur më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara.

Ai u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.

Ukshin Hoti, ka qenë edhe ligjërues në disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviqit.

Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve, raporton KP.

Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur. /Insajderi.com