Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 22-vjetorit të zhdukjes së veprimtarit të njohur të Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hoti, ka thënë se fati i tij është pengu i shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, ndaj përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të tij nuk duhet të pushojë asnjë ditë, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka cituar një thënie të veprimtarit se “me një vepër të bukur politike mund të shpëtohet një popull”, për çka thotë se ai e nisi idenë e “veprës së bukur politike” për lirinë, republikën dhe demokracinë, ndërsa synimi i mendimtarit politik dhe filozofik mbeti në gjysmë.
“Republika e tij është bërë. Dy dekada në kërkim të tij, Republikës i duhet Ukshin Hoti”, ka shkruar më tej ajo.
“Çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të cilët u zhdukën dhunshëm nga regjimi serb, është prioritet i yni dhe parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon”, thuhet në shkrimin e Osmanit. /Insajderi.com