Osmani takon presidentin kroat, e falënderon për dhurimin e vaksinave anti-COVID

Osmani takon presidentin kroat, e falënderon për dhurimin e vaksinave anti-COVID

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të Samitit të presidentëve të rajonit Brdo-Brijun në Slloveni, ka takuar sot, e hënë, homologun kroat, Zoran Milanoviq, përcjell Insajderi.

Siç njofton Presidenca, Osmani dhe Milanoviq, marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve i kanë vlerësuar të shkëlqyeshme dhe janë shprehur ta gatshëm që ato të intensifikohen në shumë sfera të interesit të përbashkët.

“Në këtë kontekst është përmendur edhe mundësia e bashkëpunimit në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, thuhet tutje në njoftim.

Presidenti Milanoviq, ka thënë se Kroacia mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, sikundër edhe liberalizimin e vizave dhe rrugën evropiane.

“Në takim u bisedua edhe situata me pandeminë COVID-19, ndërkohë që presidentja Osmani falënderoi Kroacinë për dhurimin e vaksinave”, thuhet në njoftimin për media.

Në Samitin e presidentëve të rajonit Brdo-Brijun, presidentja Osmani pritet të ketë edhe takime me presidentët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi./Insajderi.com