Ndonëse më 26 prill, Qeveria Kurti 2 emëroi Bordin e ri të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), në faqen zyrtare të këtij institucioni figurojnë ende emrat e bordit të vjetër.
Ish-kryetari Kreshnik Gashi, i cili u emërua në krye të këtij bordi në nëntor të vitit 2019, pavarësisht vendimit të ri të ekzekutivit, vazhdon të kryesojë listën e anëtarëve të këtij bordi.
Këtë e ka bërë të ditur eksperti i çështjeve kibernetike, Mentor Hoxhaj, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku kritikon këtë institucion për përditësimin e faqes.
“Institucioni kryesor i ICT-së nuk arrin faqen e vet “ta perditsojë”! Sipas ARKEP z. Gashi “vazhdon” të jetë Kryesues Bordi!”, ka shkruar Hoxhaj në postimin e tij, ku i ka bashkëngjitur edhe fotografi të faqes.
Sot e 21 ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është emëruar Bordi i ri i ARKEP.
Arsyeja për këtë vendim është mosplotësimi i kuotës gjinore.
Siç njoftoi Kurti, në krye të këtij bordi është vënë Nazim Rrahimi, ndërsa anëtarë janë zgjedhur Lule Ahmedi, Shkumbin Hamiti, Rrezarta Duraku Rizaj dhe Arijan Qorrolli.
“Së pari, anuluam vendimin e qeverisë së kaluar për propozimin që i ka bërë Kuvendit me emrat e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të këtij bordi me datë 7.12.2020. Vendimi paraprak u shfuqizua për shkak se përbërja e bordit nuk respektoi kuotën e nevojshme gjinore, që përcaktohet me Ligjin për Barazi Gjinore”, kishte shkruar Kurti në Facebook.
“Nga pesë anëtarët e propozuar, vetëm një ishte grua. Ndërsa, në fund të mbledhjes, propozimi nga Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, për bordin e ri të përkohshëm të ARKEP-it, respekton dhe plotëson këtë kuotë. Për shkak se emrat nga qeveria e kaluar nuk ishin votuar gjatë legjislativës së fundit, bordi i ARKEP-it ka mbetur pa mandat afër pesë muaj. Lista që është miratuar nga kabineti ynë qeveritar sot dhe e cila do të dërgohet në Kuvend përbëhet nga: Nazim Rrahimi – kryetar, Lule Ahmedi – anëtare, Shkumbin Hamiti – anëtar, Rrezarta Duraku Rizaj – anëtare, dhe Arijan Qorrolli – anëtar. Punët e mira bëhen vetëm atëherë kur edhe gratë janë aktive në proceset vendimmarrëse, pra vetëm kur bëhemi bashkë”, ka shkruar tutje Kurti. /Insajderi.com