Osmani: Vendi më pro-BE në rajon po përballet me pengesa jo-tarifore nga autoritetet në Serbi dhe BeH

Osmani: Vendi më pro-BE në rajon po përballet me pengesa jo-tarifore nga autoritetet në Serbi dhe BeH

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin e presidentëve të rajonit të mbajtur sot në Brdo-Brijun, ka thënë se Kosova nuk e ka mbajtur premtimin e saj të vonuar ndaj qytetarëve të vetë për t’u dhënë liberalizimin e vizave, shkruan Insajderi.

Sipas saj, e gjithë kjo ka ndodhur pasi që Bashkimi Evropian nuk e ka përmbushur premtimin e tij për liberalizim të vizave qytetarëve të Kosovës, ndërsa ka liberalizuar shumë vende, përfshirë edhe ato në Lindjen e Largët dhe Amerikën Latine.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës mbeten të izoluar dhe peng i shqyrtimeve të brendshme politike të disa shteteve anëtare”, ka thënë Osmani.

Presidentja, tutje ka thënë se “Republika e Kosovës është vendi më pro-BE në rajon, dhe institucionet tona kanë përmbushur dyfishin e kritereve në lidhje me liberalizimin e vizave krahasuar me të gjitha vendet e tjera në rajon, dhe është shtëpia e vetëm 1.8 milion qytetarëve.

“Ne i kemi përmbushur detyrat tona, kështu që ato tani duhet të japin rezultate. Populli im dhe vendi im besojnë në këtë projekt. Ne besojmë në vlerat evropiane dhe ne riafirmuam angazhimin tonë për këto vlera në zgjedhjet e fundit. Unë besoj thelbësisht se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian. Kështu që, unë e them këtë këtu sot, dhe do t’ua them kolegëve në tërë Evropën, se BE-ja duhet të hapë dyert për të gjitha vendet në rajonin tonë që përmbushin kriteret e nevojshme dhe me të vërtetë angazhohen dhe kontribuojnë në demokratizim, stabilitet, drejtësi dhe sundim të ligjit”, ka pohuar ajo.

Në anën tjetër, ajo ka deklaruar se përkundër shumë përpjekjeve për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal, Republika e Kosovës rregullisht po përballet me pengesa jo-tarifore nga autoritetet në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Serbia zbaton pengesa teknike në tregti, masa sanitare dhe fitosanitare dhe pengesa administrative të lidhura me tranzitin, licenca dhe rregulla të origjinës. Ndërsa, doganat e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk bashkëpunojnë me doganat tona për ndihmë të ndërsjellë në certifikimin dhe verifikimin e origjinës sipas Nenit 32 dhe 33 të Marrëveshjes CEFTA të vitit 2006”, ka thënë e para e vendit./Insajderi.com