Shtatë persona janë arrestuar dhe po mbahen në ndalim policor për 48 orë, lidhur me aksionin e policisë për sekuestrimin e 400 kg substancë narkotike, njofton Insajderi.
Kështu është bërë e ditur nga Policia e Kosovës në konferencën e mbajtur sot lidhur me këtë aksion.
Kreu i PK-së, Samedin Mehmeti, tha se këta persona janë arrestuar, ndërsa janë sekuestruar një sasi e lartë prej 400 kilogramë kokainë, si dhe një pistoletë, ndërsa operacioni është duke vazhduar.
“Nga hetimet e deritashme besohet se ngarkesa ka ardhur nga Brazili duke kaluar nga disa shtete. Substanca e dyshuar ishte fshehur në pako të mishit”.
“Janë arrestuar shtatë persona, shtetas kosovarë dhe janë konfiskuar 400 kg kokainë”.
“Substanca narkotike është gjetur vetëm në një lokacion, ndërsa bastisje janë bërë edhe në vende tjera, operacioni është në vazhdim dhe mund të ketë edhe arrestime të tjera dhe bastisje të lokacioneve të tjera”, ka thënë Mehmeti.
Ai tutje sqaroi se ky kontingjent dyshohet se ka ardhur nga Brazili, ka kaluar nëpërmjet Italisë në Shqipëri e më pas edhe në Kosovë, ndërsa hetimet vazhdojnë në të trija vendet.
“Në koordinim me autoritetet e tri shteteve janë ndërmarrë operacione të fshehta ligjore, për çka ka qenë i autorizuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”.
Ndërkaq, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se një aksion i tillë nuk mund të luftohet nga një shtet i vetëm, prandaj edhe janë bërë bashkë për të vepruar kundrejt kësaj vepre kriminale.
“Jemi të vetëdijshëm që rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të luftohen nga një shtet i vetëm, prandaj kemi bashkëpunuar me partnerët tanë”, ka thënë Lumezi. /Insajderi.com