Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar për “Non-paperin” që u raportua nga revista gjermane “ZUERST”, se po qarkullon së fundmi dhe është krejtësisht i ndryshëm nga “Non-paper”-at e publikuar më parë. Në këtë dokument njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia as që bëhet fjalë, madje Kosova parashihet si provincë e Serbisë.
Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, kjo ambasadë thotë se nuk janë në dijeni për një publikim të tillë prej nga ka ardhur.
Gjatë javëve të fundit, mediat në rajon, por edhe më gjerë, kanë shkruar për idetë për ndryshimin e kufijve të vendeve në Ballkanin Perëndimor, si mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura si të pazgjidhura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Sikurse për dokumentet tjera jozyrtare, edhe për këtë të fundit, ambasada thotë se pozicioni i Gjermanisë është i njohur dhe mbetet i pandryshuar: Gjermania mbështetë plotësisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Ambasada Gjermane ka marrë parasysh raportin e medias që keni ndarë në kërkesën tuaj, por nuk është i njohur me përmbajtjen e përmendur në artikull”, thonë nga Ambasada e Gjermanisë.
“Pozicioni i Gjermanisë është i njohur dhe mbetet i pandryshuar: Gjermania mbështet plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE midis Kosovës dhe Serbisë dhe përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak”, thotë ambasada në përgjigjen e saj me shkrim për redaksinë.
Revista gjermane “ZUERST!” ka shkruar për qarkullimin e një “non-paperi” të ri, që përfshin në total 16 pika, dhe i cili e parasheh Kosovën si pjesë të Serbisë.
Në këtë artikull thuhet se ky dokument jo-zyrtar, i cili përmban 16 pika, nuk shkel asnjë pikë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të 10 qershorit të vitit 1999 .
“Në këtë ‘non-paper’ sugjerohet që ‘të gjithë qytetarët e Kosovës’ – përmenden 873 mijë shqiptarë të Kosovës – ‘duhet të marrin shtetësinë e Republikës së Serbisë’, shkruan revista gjermane.
Tutje propozohet që zgjedhjet e përbashkëta të mbahen në Kosovë dhe Serbi në prill të vitit të ardhshëm – “në të gjitha nivelet”.
“Guvernatori i zgjedhur i Kosovës duhet ta mbajë gjithashtu detyrën e nënkryetarit të parlamentit serb. Beogradi gjithashtu do të garantonte një status të veçantë për Kosovën për 99 vjet. Lëvizja e mallrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojë përsëri, siguria e kufirit për jashtë do të merret nga Serbia dhe Kosova së bashku. Ambasadori serb në Kombet e Bashkuara në të ardhmen do ta ketë një përfaqësues të qeverisë kosovare në krah të tij”, thuhet nga revista “ZUERST!”
Më herë janë publikuar edhe dy “non-papers”, për të cilat u tha se njëra vjen nga Sllovenia e tjetra është influencuar nga qarqe franko-gjermane.
Në gjuhën e institucioneve evropiane, non-paper është një dokument joformal, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për ndonjë çështje të kontestuar. /Insajderi.com