Policia e Kosovës ka njoftuar se përveç 400 kilogramëve kokainë, gjatë së hënës në Lipjan janë konfiskuar edhe revole, fishekë, telefona celularë, kompjuterë, para kesh e veturë, përcjell Insajderi.
Në raportin 24 orësh, policia ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, rreth orës 11:10.
Substanca e dyshuar narkotike e llojit kokainë, bashkë me mjetet e tjera, janë gjetur nga Drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me narkotikë në koordinim me policinë italiane dhe shqiptare, pas një hetimi të përbashkët gjatë kontrollit në depon e një kompanie.
“Ndërsa gjatë kontrollit në disa lokacione tjera janë gjetur dhe sekuestruar: dy revole një TT dhe tjetra me gas, 50 copë fishekë të cal. 7.62 mm, 25925 € para kesh, 200 denar MK, një veturë, 6 telefona celular, 6 PC, dy llap top, katër DVR dhe një Hard Disc”, thuhet në raport.
Sipas policisë, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në konsultim me gjyqtaren e procedurës paraprake dhe prokurorin e prokurorisë speciale.
Shtatë të dyshuar meshkuj kosovar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje. /Insajderi.com