Mbetet në fuqi aktakuza për rastin “Afera e hidrocentraleve”

Mbetet në fuqi aktakuza për rastin “Afera e hidrocentraleve”

Të akuzuarve në rastin “Afera e Hidrocentraleve”, Besim Beqajt, Mimoza Kusari-Lilas, Dardan Gashit, Fllanza Hoxha, Arben Gjuka e Nenad Rashiq – i është lënë në fuqi aktakuza.

Kështu ka vendosur Gjykata e Apelit, njofton Insajderi.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në rastin e të pandehurve B. B., M. K.-L., N.R., D. G., F. H. dhe A. Gj. Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 04.03.2021, është vërtetuar dhe çështje penale ndaj tyre, do të vazhdoj sipas rregullave të procedurës penale”, thuhet në komunikatën e Apelit.

Ata akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e veta duke votuar që disa hidrocentrale që prodhojnë energji elektrike të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga Limaku.

Po ashtu Apeli e ka refuzuar edhe ankesën e Prokurorisë Speciale, për 13 të akuzuarit tjerë në këtë rast, ndaj të cilëve ishte refuzuar aktakuza për shkak të parashkrimit.

“Gjykata e Apelit po ashtu, e ka refuzuar edhe ankesën e Prokurorisë Speciale, për të akuzuarit tjerë në këtë rast: L.F., F.H., F. Ç., M. R., A. N.,  F.K.,  I. I., G. J., B. B., G. Sh., N. H.,  A. A. Procedura penale ndaj tyre është pushuar, për shkak të parashkrimit relativ te ndjekjes penale” – thuhet në komunikatën e Apelit. /Insajderi.com