Dekriminalizimi i posteve publike, pse presidenti nuk flet për vetveten

Dekriminalizimi i posteve publike, pse presidenti nuk flet për vetveten

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kohë më parë ka marrë iniciativën për, siç ka thënë ai, dekriminalizimin e skenës politike dhe të posteve publike.

“Njerëzit nën hetime të mos lejohen, jo vetëm të marrin poste publike, por as të përfshihen në listat zgjedhore”, kishte deklaruar Thaçi.

Iniciativës së presidentit i kishte dhënë mbështetje ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Conell. Ai kishte kërkuar parti politike të shëndosha, demokratike e transparente.

“Si mund të presim që kriminelët të japin llogari qytetarëve të vet”, kishte thënë ambasadori O’Conell në të njëjtën tryezë ku ishte edhe presidenti Hashim Thaçi.

“Populli duhet të kërkojë më shumë nga përfaqësuesit e zgjedhur dhe t’i mbajë ato llogaridhënëse”, kishte theksuar ai.

Por presidenti Thaçi nuk ka dhënë sqarime nëse do ta përfshijë edhe vetveten në dekriminalizimin e posteve publike. Pozita e presidentit është publike.

Emri i tij është përmendur ndër të dyshuarit kryesorë të mundshëm në raportin e Dick Martyt për krime lufte në Kosovë.

Gazeta Insajderi e ka pyetur Zyrën e Presidentit nëse ai do të japë dorëheqje në rast se ngrihet aktakuzë ndaj tij për krime lufte, si formë e dekriminalizimit të posteve publike, por tash e disa ditë nuk kanë kthyer përgjigje.

Nismë të tillë për ‘pastrimin’ e skenës politike Thaçi nuk e kishte bërë gjatë kohës sa ishte kryeministër dhe kryetar i PDK-së, edhe pse disa figura të larta të partisë, të cilët ishin në poste publike, përfshirë edhe kryetarë komunash, u akuzuan, e disa sosh edhe u dënuan.

Një thirrje e Presidentit Thaçi për dekriminalizmin e skenës politike është vlerësuar si joserioze nga partitë opozitare në vend.

Për më tepër, Lëvizja Vetëvendosje thotë se qëllimi i Thaçit është largimi i opozitës nga Kuvendi, kur dihet fakti se një pjesë e tyre janë duke u hetuar për protestat me gaz lotsjellës.

Kurse zyrtar të Nismës për Kosovën këtë iniciativë e kanë quajtur hipokrizi të presidentit.

AAK-ja vlerëson se nisma e tij po bëhet për konsum vetanak të tij, për të cilin thotë se sa ishte kryeministër nuk ndërmori këso iniciativash.

Ndërkaq, zyrtar të LDK-së, e cila është në koalicion me ish-partinë e presidentit, PDK-në, janë treguar më të kujdesshëm, duke thënë se për nisma të tilla duhet të ketë koordinim mes partive politike.

Zyrtar të ish-partisë së presidentit, PDK-së, kanë thënë për Insajderin se nisma e ish-shefit të tyre do të duhej të bëhej edhe ligj./Insajderi.com