Kurti pas darkës në Bruksel flet për liberalizimin e vizave – rinisja e dialogut kah mesi i qershorit

Kurti pas darkës në Bruksel flet për liberalizimin e vizave – rinisja e dialogut kah mesi i qershorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për media pas takimit të sotëm të mbajtur midis liderëve të Ballkanit Perëndimor me kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell në Bruksel.

Kurti në adresimin e tij për media tha se në këtë takim ku prezentë ishin liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ai në fjalën e tij, theksin e kishte vënë te liberalizimi i vizave dhe krijimi i kushteve të punës për rininë kosovare.

“Të gjashtë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor morën pjesë në këtë darkë pune, theksi i këtij takimi ishte raporti i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evorpian për nevojen e afateve në të ardhmen në mënyrë që sa më shpejt të avancojnë në integrimin evropian. Unë kanë vënë theksin në veçanti te çështja e nevojës për liberalizimin evizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës më tej tregoi se si, sipas tij, mund të ecin drejt integrimit evropian këto shtete për të cilat është organizuar kjo darkë pune, duke përmendur demokratizimin, sundimin e ligjit dhe ballafaqimin me të kaluarën.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse i përmbahen tri vlerave të rëndësishme: demokratizimi – të luftohen autokracitë në Ballkan, sundimi i ligjit – të luftohen oligarkitë në ekonomi dhe ballafaqimi me të kaluarën, pra të eliminohen nga skena politike, kriminelët e luftës, meqë e dijmë që në Ballkanin Perëndimor ka politikanë edhe kriminelë të luftës edhe të paqes”, tha ai.

Kurti më tej zbuloi se takimi i radhës i këtij lloji do të mbahet në një nga vendet e Ballkanit, ndërsa nuk është caktuar ende ku.

“Do të vazhdohet me këto takime, kishte dakordim që takimi i radhës të ndodhë diku në Ballkan. Përveç z.Borrell, në takim ishte edhe komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Varhelyi”.

“Besoj që BE duhet të mbrohet në shekullin 21, pasi që është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe i progresit e mirëqenies që është dobi dhe duhet të ndahet me të gjithë”, tha më tej Kurti.

Ndonëse ky takim nuk ishte për të diskutuar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, i pari i Qeverisë nuk e lë pa e përmendur këtë çështje, për çka thotë se rinisja e bisedimeve pritet të ndodhë kah mesi i muajit qershor.

Ajo çka fillimisht dëshiron Kurti nga rifillimi i dialogut është që pala kosovare të jetë e përgatitur mirë e të ndihet si palë e barabartë, duke shtuar se thelbi i gjithë këtij procesi duhet të jetë njohja reciproke midis dy vendeve, gjë të cilën e kanë mbështetur liderë të shteteve të fuqishme, duke përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden.

“Do të jetë dikur aty rrotull mesit të qershorit, do të ketë takim për të diskutuar se si të vazhdohet me dialogun më tej, cili do të jetë kapitulli i ri i këtij dialogu e kështu me radhë. Duam dialog të përgatitur mirë, parimor, si palë të barabarta, thelbi është ai që e ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden dhe shumë liderë të tjerë, që zgjidhja do të ishte njohja reciproke që sjellë paqe dhe stabilitet në Ballkan”, tha Kurti.

“Nga ky takim duhet të shohim se sa do të ketë dakordim për mënyrën e agjendes së ecjes përpara. Unë jam në fillim të mandatit, ndërsa presidenti i Serbisë në fund të mandatit”.

“Jemi për dialog parimor ku Kosova nuk është më objekt në tryezë por është subjekt rreth saj bashkë me palën tjetër”, tha ai.

“Me një lidhje të re transmatlanike në njërën anë dhe me një sinkronizim me BE-në, dialogu do të ketë të ardhme më të mirë në muajt dhe vitet në vijim”.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Kurti shprehet se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret teknike, dy herë më shumë se vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut apo Serbia, por që sipas tij, qeverisjet e kaluara kanë ndikuar negativisht në imazhin e Kosovës.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike që janë më shumë se dyfishi i shteteve rrotull, si puna e Maqedonisë së Veriut e Serbisë, imazhi nuk është më i miri për Kosovën për shkak të qeverisjeve të kaluar, por ne do të bëjmë më të mirën. Pritjet e qytetarëve janë që kjo qeveri tani është ajo e cila mund ta bëjë hapin përfundimtar sa i përket liberalizimit të vizave”, tha ai.

Derisa u pyet për procesin e vaksinimit, Kurti tha se gjatë muajit maj dhe qershor po rriten mundësitë për të siguruar më shumë vaksina, ndërsa po punohet që deri në fund të vitit, të vaksinohen 60 përqind e popullatës.

“Sa i përket vaksinave, është e vërtetë që me hyrjen në muajin maj e në qershor po rriten mundësitë për të marrë më shumë vaksina. Jam i bindur që do të arrijmë të vaksinojmë 60 përqind të popullsisë”, ka thënë Kurti. /Insajderi.com