Ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar konsensus për pesë tema në mesin e të cilave hynë edhe dialogu Kosovë-Serbi, transmeton Insajderi.
Kusari-Lila është deklaruar edhe për seancën në të cilën pati përplasje mes deputetëve të pozitës dhe ata opozitarë, si dhe ministrave të cilët ishin prezëntë në sallën e Kuvendit të Kosovës.
”S’mund të vazhdojmë ta trajtojmë seancën e asaj dite pa i adresuar edhe disa çështje. Kushdo që ka sharë dhe ka fyer, duhet të reflektojnë sepse nuk mund ne të krijojmë seancë të Kuvendit, në të cilën kërcënohen apo ndihen të kërcënuar deputetët”, ka thënë ajo në ‘Rubikon’ të Klan Kosovës.
”Secili rast është mundësi për ta ndërprerë, apo për të mos e bërë të ndihet keq në seancë”.
”Nuk iu kam thënë janë bandë. Kur janë nisur për të dalë jashtë dhe kanë filluar ta ngrisin intensitetin e zërit kundër ministres Gërvalla, ajo ka qenë një situatë pak e frikshme, dhe aty ka filluar reagimi i zotrit Peci”, ka treguar Kusari-Lila.
U.d., e Shefes së GP të LVV-së në Kuvend, thotë se bashkëpunimi midis deputetëve është i domosdoshëm edhe pas së gjithë situatës së ndodhur në atë seancë.
”Unë besoj që bashkëpunimi në Kuvend është i domosdoshëm, pas krejt kësaj çka ka ndodhë. Ne mund të kundërshtohemi politikisht në vazhdimësi. Por, duhet t’i ulim këto tensione dhe ofendime”, ka thënë ajo. /Insajderi.com