Haxhiu: ShIK-u po mundohet ta helmojë opinionin me një fotografi të Shpend Ahmetit

Haxhiu: ShIK-u po mundohet ta helmojë opinionin me një fotografi të Shpend Ahmetit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka reaguar  me një status për lajmin ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku shihet në foto në një jaht në Budva të Malit të Zi.

Ajo ka thënë se “pas sondazheve të fundit, SHIK-u, assesi nuk po mund të këndellet. Me format e mjetet që dijnë ata, po mundohen ta helmojnë opinionin, pas një fotografie të Shpendit në jaht”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook.

Deputetja Haxhiu shtoi se ata që po flasin sot për Shpendin ku u strukën javën e shkuar kur u sulmua aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Këta që sot po flasin kundër Shpendit, ku strukeshin javën e shkuar, kur u sulmua fizikisht një aktivist politik, ku ishit dje kur RTK, edhe njëherë keqpërdori taksat tona duke transmetuar drejtpërdrejt konventen e PDK!”, ka shkruar tutje Haxhiu.

Gjithashtu ajo u shpreh se “sikur të reagonit kështu për keqpërdorimet dhe pasurinë e paligjshme që e kanë krijuar këta kriminelet me kollare dhe për projektet e dëmshme që po tentojnë t’i jetësojnë, jam e bindur që punët do t’i kishim shumë më mirë!”, ka përfunduar shkrimin e saj deputetja Albulena Haxhiu.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë natës së mbrëmshme u fotografua në një jaht, ku ngjalli shumë reagime ndaj tij. /Insajderi.com