Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Gazetën Online Insajderi, se Skender Hyseni, nuk do të jetë pjesë e ekipit të dialogut me Serbinë.
Hyseni ishte ftuar nga Qeveria Kurti për konsultime rreth dialogut, por në media ishte raportuar se ai “do të jetë në grupin i cili do t’i dalë përballë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe bashkëpunëtorëve të tij”.
“Është normale që personi që për gati 9 muaj ka qenë përgjegjës për dialogun të ftohet për takim pune në shërbim të përgatitjeve të qeverisë së re për këtë proces”, tha Kryeziu.
Megjithatë, edhe Hyseni kishte mohuar përfshirjen e tij në bisedimet me Serbinë.
Ai ishte emëruar Koordinator për Dialogun nga kryeministri atëhershëm, Avdulah Hoti.
Kishte pasur disa takime teknike me përfaqësues të Serbisë si dhe me funksionarë të lartë të Bashkimit Evropian.
Pikërisht, Unioni Evropian në darkën tradicionale të shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor, ka përsëritur se “dialogu duhet të fillojë të shpejt”.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se kryeministri i Kosovës i ka kërkuar kohë që të përgatitet për çështjen e dialogut.
Ky i fundit ka përmendur qershorin si muaj potencial ku do të diskutojë në tavolinën e Brukselit me Vuçiqin.
I pari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka diskutuar gjatë me liderë të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje politike që do ta zgjidhte problemin e dy vendeve fqinje.
Por, deri tash ka pasur pajtime në letër; teknike dhe ekonomike, pasi Kosova pretendon se “Beogradi marrëveshjet e arritura si ka zbatuar”. /Insajderi.com